Gjykata e Elbasanit ka caktuar masat e sigurisë për 27 personat e arrestuar gjatë operacionit të koduar “First Day”.
Sipas vendimit, 16 prej të dyshuarve do të qëndrojnë në “arrest me burg”, ndërsa 7 të tjerë janë lënë në “arrest shtëpie”. Për 4 të arrestuarit e mbetur, gjykata ka vendosur masën e “detyrimit për paraqitje”.
Operacioni i zhvilluar nga Policia u përqendrua në goditjen e trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në qarkun e Elbasanit, duke përfshirë qytetet Elbasan, Librazhd, Gramsh, Cërrik, Peqin, Belsh dhe Prrenjas.
Gjatë aksionit janë sekuestruar sasi kokainë dhe kanabisi, armë zjarri (pistoletë, kallashnikov), armë gjahu, municion luftarak, si dhe pajisje elektronike si laptopë, tabletë, DVR, targa automjetesh shqiptare e belge, shuma të konsiderueshme parash në euro, dollarë, paund, franga zvicerane, si edhe 24 celularë.