Një hulumtim i botuar në Nature Communications sugjeron se përdorimi i kanabisit mund të ndikojë negativisht në shanset për shtatzëni tek gratë që ndjekin procesin e fertilizimit in vitro (IVF).
Studiues nga Kanadaja dhe Izraeli analizuan 1,059 mostra të lëngut folikular – lëngu në vezore që rrethon dhe ushqen vezët. 62 mostra rezultuan pozitive për THC, përbërësin psikoaktiv të kanabisit. Këto mostra kishin më shumë gjasa të shfaqnin anomali kromozomale, të cilat lidhen me dështim të implantimit, abort spontan ose moszhvillim të qëndrueshëm të embrionit.
Eksperimentet laboratorike konfirmuan gjithashtu se nivele të larta të THC mund të shkaktonin gabime në shpërndarjen e kromozomeve dhe të ulnin shkallën e maturimit të vezëve – një faktor thelbësor për suksesin e IVF.
Autorja kryesore e studimit, Cyntia Duval, theksoi se ekipi i saj arriti të masë drejtpërdrejt nivelet e THC në mostra, gjë që ofron një pasqyrë më të saktë krahasuar me studimet e bazuara te vetëraportimi i grave.
Megjithëse studimi nuk mori parasysh faktorë si mosha apo frekuenca e përdorimit të kanabisit, ai ngre shqetësime serioze mbi efektet e drogës në pjellori. Studiuesit theksuan se, me rritjen e legalizimit të kanabisit në shumë vende, është e domosdoshme të kuptohet ndikimi i tij në shëndetin riprodhues.
“Qëllimi ynë është i qartë: të edukojmë pacientet e IVF dhe njerëzit me vezore se kanabisi mund të ndikojë në maturimin e oociteve dhe rezultatet e fertilizimit,” tha Duval, duke paralajmëruar se informimi është më i rëndësishëm se kurrë.