Max Verstappen, katër herë kampion bote në Formula 1, në një intervistë për gazetën spanjolle ‘El Mundo Deportivo’, foli jo vetëm për sportin e tij, por edhe për futbollin dhe klubin e zemrës, Barcelona. Piloti holandez rikujtoi se edhe verën e kaluar kishte besim te emërimi i Hansi Flick për të drejtuar katalanasit dhe komentoi mundësitë e talentit të ri, Lamine Yamal, për të fituar Topin e Artë.
“Edhe verën e kaluar kisha besim te Barça, por ndonjëherë ndjeva pak shqetësim, sepse rivaliteti mes Barcelonës dhe Real Madridit është gjithmonë i fortë. Megjithatë, më pëlqen stili i lojës me Flick; është shumë ofensiv dhe ndonjëherë merr rreziqe në mbrojtje. Por, deri tani, po funksionon mirë,” tha Verstappen.
Ai shtoi se ajo që po bën Yamal është e jashtëzakonshme për moshën e tij dhe shprehu bindjen se talenti i ri do të arrijë suksesin më të madh:
“Topi i Artë jepet për më të mirin dhe pas epokës së Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo nuk ka ende një fitues të qartë. Por jam i sigurt që Yamal do të fitojë Topin e Artë në vitet e ardhshme,” përfundoi Verstappen.