FLASH :

Starmer shkarkon nga detyra ambasadorin britanik në SHBA, shkak lidhjet e tij me Jeffrey Epstein

Kryeministri britanik, Keir Starmer ka shkarkuar nga detyra ambasadorin në SHBA, Peter Mandelson për shkak të lidhjeve të tij me Jeffrey Epstein. Shkarkimi i Mandelson konsiderohet si një goditje për Downing Street, teksa po përgatitet për vizitën zyrtare të presidentit amerikan Donald Trump në Mbretërinë e Bashkuar. 

Peter Mandelson, një politikan veteran i Partisë Laburiste, i cili luajti një rol kyç në suksesin e Partisë Laburiste nën drejtimin e Tony Blair, u vu në qendër të vëmendjes pas publikimit të librit të ditëlindjes së Jeffrey Epstein, i cili përmban një letër në të cilën Mandelson e përshkruan Epstein si “mikun e tij më të mirë”.

“Në dritën e informacionit shtesë në email-et e shkruara nga Peter Mandelson, kryeministri i ka kërkuar Sekretarit të Jashtëm të largojë nga detyra e ambasadorit. Emailet tregojnë se thellësia dhe shkalla e marrëdhënies së Peter Mandelson me Jeffrey Epstein është thelbësisht e ndryshme nga ajo e njohur në kohën e emërimit të tij. Në veçanti, sugjerimi i Peter Mandelson se dënimi i parë i Jeffrey Epstein ishte i gabuar dhe duhet të kundërshtohet është informacion i ri. Në dritën e kësaj, dhe duke pasur parasysh viktimat e krimeve të Epstein, ai është shkarkuar nga detyra e ambasadorit me efekt të menjëhershëm.”, tha një zëdhënës i ministrisë së Jashtme.

Konkretisht, në letrën e shkruar nga Peter Mandelson për 50-vjetorin e lindjes së Jeffrey Epstein në vitin 2003 dhe të botuar këtë javë nga anëtarët e Kongresit amerikan, britaniku e përshkruan financierin si “mikun e tij më të mirë”.

Kur u pyet dje për përmbajtjen e kësaj letre, Starmer shprehu mbështetjen e tij për Mandelson. Por mbrëmë, mediat britanike, zbuluan se Mandelson i kishte dërguar email-e mbështetjeje Epstein-it kur ai u akuzua për shfrytëzim seksual të të miturve.