Ish-kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, i cili dha dorëheqjen ditën e djeshme, ka dhënë një prononcim për mediat pak para nisjes së Asamblesë së Partisë Socialiste. Ai theksoi se largimi nuk lidhet me zhvillimet e fundit politike, por ka qenë një vendim i menduar prej kohësh për arsye familjare.
“Jo një ditë para Asamblesë. Ka shumë kohë që e mendoj, për arsye familjare. Jam djalë Vlore, jam lindur në Vlorë. Jam i sigurt që do ketë një ekip ta çojë Vlorën përpara sepse ai qytet do një angazhim maksimal”, u shpreh Dredha.
Ai nënvizoi se dashuria për qytetin e tij mbetet e pandryshuar dhe se pavarësisht rolit që do ketë në të ardhmen, angazhimi i tij për Vlorën nuk do të mungojë.
“Dashuria për Vlorën mbetet e para. Jam djalë Vlorë, kam lindur aty. Dashuria është e pashtershme, nuk ka për të mbaruar kurrë. Unë do të vazhdoj të kontribuoj dhe të shërbej për Vlorën time, kudo që të jem i angazhuar në vijim. Jam i sigurt që do të ketë një ekip shumë të mirë që do ta çojë Vlorën përpara dhe do të bëjë maksimumin për qytetin sepse Vlora ka një ritëm të tillë që kërkon angazhim maksimal nga të gjithë. Unë do e mbështes sa të mundem”, përfundoi ai.