Charles James Kirk, i njohur si Charlie, 31 vjeç, aktivist politik i djathtë amerikan, u qëllua në qafë gjatë një eventi publik në Utah Valley University. Ai vdiq në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale mbas sulmit. Lajmin e konfirmoi vetë presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili shkroi në rrjetet sociale.
Fantastiku, dhe tashmë legjendari, Charlie Kirk, ka vdekur. Asnjë nuk e kuptoi apo ndjeu zemrën e Amerikës më mirë se ai. Ai ishte i dashur dhe i admiruar nga të gjithë, veçanërisht nga unë, dhe tani nuk është më me ne. Unë dhe Melania i shprehim ngushëllimet tona gruas së tij, Erika, dhe familjes. Charlie, të duam!”
Kirk ishte një nga figurat më të njohura të politikës konservatore amerikane dhe, së bashku me Bill Montgomery, themelues i organizatës konservatore Turning Point USA, krijuar në 2012 për të promovuar ide konservatore në universitete dhe kampuset amerikane.
Kirk, baba i dy fëmijëve, ishte mbështetës i zjarrtë i presidentit Donald Trump. Një person i dyshuar u ndalua, por rezultoi të ishte një gabim: sipas zëdhënëses së universitetit, Ellen Treanor, ai ishte një student. Sulmuesi i vërtetë është ende i lirë: një burrë i moshuar që qëlloi Kirk nga Losee Center, një ndërtesë rreth 180 metra larg, rreth njëzet minuta pas fillimit të fjalës së tij.
“Duhet të lutemi të gjithë për Charlie Kirkin,” kishte shkruar presidenti Trump në Truth. “Një djalë i mrekullueshëm nga koka te këmbët. Zoti e bekoftë!” Mesazhe solidariteti erdhën gjithashtu nga shumë guvernatorë dhe politikanë, si dhe nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.