Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u përball me një protestë gjatë hyrjes në një restorant në Washington, për shkak të mbështetjes që ai i jep Izraelit në konfliktin në Gaza.
Trump kishte shkuar për darkë në orët e mbrëmjes, me qëllim të demonstronte se Washingtoni është bërë më i sigurt. Në hyrje të restorantit, ku do të takohej me zv.presidentin J.D. Vance dhe disa anëtarë të kabinetit të tij, ai u prit nga protesta e anëtareve të organizatës së shoqërisë civile “CodePink”, e themeluar nga gra kundër luftës.
Protestueset i brohoritën Trumpit slogane si “Liri për Palestinën, liri për Washingtonin” dhe theksuan se njerëzit në Rripin e Gazës po vuajnë nga uria. Disa prej tyre e krahasuan Trumpin me Hitlerin, duke thirrur: “Trump është Hitleri i sotëm!”
Pas disa çastesh, Trump urdhëroi që protestueset të nxirreshin jashtë. Ato u larguan nga restoranti, por vazhduan të brohorasin slogane në mbështetje të Palestinës dhe Gazës.