Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur ‘non grata’ në SHBA dy politikanë të Malit të Zi.
Bëhet fjalë për ish-kryetarin e Bashkisë së Budvës dhe deputetin aktual Milo Bozoviç, si dhe ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica.
Ata akuzohen se kanë mbështetur organizata kriminale.
Sipas DASH, Milo Bozoviç shfrytëzoi pushtetin dhe postin e tij për të mbështetur krimin e organizuar dhe operacionet ndërkombëtare të trafikimit të drogës.
Ndërsa Medenica akuzohet nga DASH se ka abuzuar me pozicionin e saj publik për të mbështetur një organizatë kriminale të kontrabandës, duke nxjerrë informacione gjyqësore, duke ndërmjetësuar vendime gjyqësore dhe ka marrë ryshfet për të ndryshuar vendime gjyqësore në këmbim të parave dhe pasurive të paluajtshme.
DASH thotë se ata konsiderohen të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA për shkak të përfshirjes në korrupsion madhor që mundësoi trafikimin e drogës.