FLASH :

Pamjet e reja nga vrasja e refugjates ukrainase në tren në SHBA, pasagjerët e filmojne të përgjakur në vend që ta ndihmojnë

Një video e re ka tronditur opinionin publik, duke zbuluar sjelljen ç’njerëzore të pasagjerëve në një tren në Karolinën e Veriut, të cilët zgjodhën të filmojnë me celular refugjaten ukrainase Iryna Zarutska, ndërsa ajo po jepte shpirt në vend që të vraponin për ta ndihmuar.

Pamjet tregojnë disa udhëtarë duke nxjerrë telefonët dhe duke regjistruar momentet e fundit të Zarutskës, e cila u qëllua me thikë tre herë në qafë nga Decarlos Brown Jr, 34 vjeç – një kriminel me precedentë të shumtë penalë, tashmë përballë dënimit me vdekje pasi akuza ndaj tij u ngritën në nivel federal për terrorizëm.

Zarutska, 23 vjeçe, ishte vetëm pak minuta në trenin South End light rail në Charlotte, kur Brown nisi sulmin e paprovokuar me një thikë të vogël.

Ajo shihet në video teksa kthehet, mbulon fytyrën nga frika dhe më pas rrëzohet në një pellg gjaku.

Një burrë me këmishë të gjelbër tenton t’i heqë bluzën për të ndalur gjakderdhjen, por kanë kaluar më shumë se 1 minutë e 40 sekonda ishte tepër vonë.

Një grua me crop-top të zi dhe xhinse blu shihet më pas duke u ulur pranë trupit të saj, por shumica e pasagjerëve në vend që të ndihmonin thjesht filmuan.

Një burrë me bluzë blu të McDonald’s dhe syze, shfaqet duke nxjerrë telefonin për të filmuar.

Po ashtu, një grua me bluzë me ngjyra dhe pantallona të zeza, e cila kishte lidhur një triko në qafë, shihet duke regjistruar skenën, ndërsa gjaku përhapej në dysheme pranë këmbëve të saj.

Pamjet janë aq tronditëse, saqë media angleze ka zgjedhur të mos i publikojë të plota për shkak të përmbajtjes së rëndë.

Sulmi ndodhi më 22 gusht, vetëm katër minuta pasi Zarutska u ul në tren, përpara autorit të krimit. Ajo u godit tre herë me thikë në qafë dhe duar, dhe u shpall e vdekur në vendngjarje.

Prokurori amerikan Russ Ferguson tha se viktima kishte nisur një jetë të re me partnerin e saj në SHBA, dhe familja e saj kishte vendosur që ajo të varrosej në Amerikë, pasi “e donte këtë vend”.

Ndërkohë, Decarlos Brown u arrestua menjëherë dhe akuzohet me bazë të ligjit federal për sulm ndaj sistemit të transportit publik, duke hapur rrugën që të përballet me dënimin kapital.

Brown, që ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në burg, ka një dosje kriminale me të paktën 14 raste në qarkun Mecklenburg, përfshirë grabitje të armatosur, sulm fizik, vandalizëm dhe abuzim me thirrjet 911.

Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi e cilësoi vrasjen si pasojë direkte e “politikave të dështuara të tolerancës ndaj krimit”, dhe premtoi ndëshkim maksimal.

Presidenti gjithashtu e komentoi ngjarjen, duke e quajtur një akt të tmerrshëm dhe një pasojë e drejtëpërdrejtë e “lirimit të kriminelëve të dhunshëm në qytetet e udhëhequra nga demokratët.

Zarutska kishte mbërritur në SHBA në vitin 2022, duke ikur nga lufta në Ukrainë dhe duke shpresuar për një jetë të re. Në faqen GoFundMe të ngritur nga familja, thuhej:

”Ajo erdhi në Amerikë në kërkim të sigurisë dhe një fillimi të ri. Tani është viktimë e një sistemi që s’e mbrojti dot.”