FLASH :

Trupi njerëzor “lufton” humbjen e peshës: Pse nuk është gjithmonë çështje vullneti

Procesi i humbjes së peshës është shpesh shumë më kompleks sesa thjesht “haje më pak dhe lëviz më shumë”. Sipas Dr. Siwak, një eksperte në fushën e endokrinologjisë dhe metabolizmit, trupi ynë ka një sistem biologjik të ndërtuar për të parandaluar urinë dhe humbjen e yndyrës, një mekanizëm mbijetese i lashtë që në ditët e sotme mund të punojë kundër nesh.

Ky sistem, i njohur si “lipo-stat”, reagon ndaj humbjes së yndyrës duke ulur nivelin e hormonit leptin, i cili sinjalizon trurit se trupi po “uritet”. Si pasojë, rritet ndjenja e urisë dhe ngadalësohet metabolizmi, duke e bërë më të vështirë humbjen e mëtejshme të peshës.

“Trupi e sheh humbjen e peshës si një kërcënim,” shpjegon Dr. Siwak. “Kjo është arsyeja pse shumë njerëz përjetojnë ndalesa ose rikthim të kilogramëve.” Ajo përdor analogjinë e termostatit: “Edhe nëse e ul temperaturën, sistemi i ngrohjes do ta sjellë përsëri në nivelin e mëparshëm.”

Përveç biologjisë, edhe faktorë të tjerë ndikojnë fuqishëm: mungesa e gjumit, stresi, zakonet emocionale, oraret e parregullta të punës dhe madje edhe medikamentet e përshkruara mund të ndikojnë në rritjen e peshës ose vështirësinë për ta humbur atë. Dr. Siwak thekson gjithashtu se gjenetika luan një rol të madh, deri në 70% e indeksit të masës trupore (BMI) mund të jetë e trashëguar.

Për ata që luftojnë me peshën, mesazhi i saj është i qartë: Ajo këshillon qasje afatgjatë, ushqim të ekuilibruar, aktivitet të qëndrueshëm fizik dhe mbi të gjitha, mirëkuptim ndaj vetes.