FLASH :

Tabaku: Shkollat bosh tregojnë krizën e një kombi që nuk gjen siguri në këtë sistem

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas nisjes së vitit të ri shkollor, duke e cilësuar rënien drastike të numrit të nxënësve si pasqyrën më të dhimbshme të krizës demografike që po kalon vendi.

Ajo thekson se vetëm në pesë vitet e fundit janë 61 mijë nxënës më pak, ndërsa në një dekadë rënia arrin në 31%, që përkthehet në 112 mijë nxënës më pak se kur socialistët erdhën në pushtet.

“Ky nuk është thjesht një tregues arsimor. Është kriza e një kombi që po zvogëlohet dhe zbehet ditë pas dite. Në thuajse 70 njësi administrative ka më pak se 100 fëmijë. Shqipëria po plaket përpara se të zhvillohet”, u shpreh Tabaku.

Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane nënvizoi se kjo rënie është pasojë e një sistemi që nuk ofron asnjë garanci për të ardhmen: “Çmimet e rritura, pasiguria ekonomike, mungesa e sigurisë në punë dhe në jetën e përditshme kanë bërë që shumë familje të mos lindin më fëmijë, ndërsa të rinjtë zgjedhin emigrimin si rrugëdalje”.

Sipas saj, emigrimi po gërryen vendin, ndërsa qeveria përpiqet ta mbulojë realitetin me “propagandë dhe projekte fantashkencore digjitale”.

“Një vend i ndarë mes boshatisjes së fshatrave dhe një Tirane të mbingarkuar është një vend i dënuar të humbasë betejën me të ardhmen. Prandaj beteja jonë është çdo ditë kundër këtij sistemi të padrejtë që godet familjen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, përfundoi Tabaku.