Protestat në Nepal nisën pas një vendimi të qeverisë së Kryeministrit të dorëhequr për të ndaluar rrjetet sociale në vend, ngjalli zemërim dhe pakënaqësi te qytetarët.
Nepal – Në Katmandu kanë shpërthyer protesta të fuqishme kundër qeverisë së vendit, ku nëpër rrugë kanë dalë qindra protestues.
Këta të fundit janë përleshur me policinë dhe u kanë vënë zjarrin disa ndërtesave.
Parlamenti i vendit është djegur nga demonstruesit. Ndërkohë, Kryeministri KP Sharma Oli dha dorëheqjen pas protestave të dhunshme kundër korrupsionit në rritje në vend.
Dorëheqja e tij erdhi një ditë pasi 19 protestues mbetën të vrarë nga forcat e sigurisë gjatë demonstratave të dhunshme.
Sapo protestuesit mësuan lajmin për dorëheqjen e Kryeministrit, ata shfaqën gëzimin e tyre brenda Parlamentit që i kishin vënë flakën.
Ata mbanin pankarta në duar, teksa nga godina e Parlamentit dilte tymi i flakëve.
“Ne fituam”, shkroi një protestues me shkronja të mëdha në murin e godinës së Parlamentit.
Protestat në Nepal nisën pas një vendimi të qeverisë së Kryeministrit të dorëhequr për të ndaluar rrjetet sociale në vend, që ngjalli zemërim dhe pakënaqësi te qytetarët, por edhe korrupsioni dhe problemet ekonomike të mbartura ndër vite.