Një shtetas francez është arrestuar në Rusi dhe po mbahet në paraburgim.
“Kemi marrë informacion në lidhje me arrestimin dhe paraburgimin e njërit prej shtetasve tanë në Rusi, në rajonin e Lindjes së Largët Ruse”, thanë burime diplomatike, duke refuzuar të specifikojnë datën ose rrethanat e arrestimit të tij.
Burimet gjithashtu nuk pranuan të jepnin identitetin e shtetasit. Sipas Le Monde, bëhet fjalë për një çiklist francez 44-vjeçar të garave rrugore të qëndrueshmërisë. “Sofian Chechili (…) u arrestua në Vladivostok, në Lindjen e Largët Ruse, në fund të planit të tij për të thyer rekordin botëror për kalimin me biçikletë të Euroazisë, një rrugë që lidh Lisbonën me Vladivostokun”, shkroi gazeta franceze, duke shtuar se 44-vjeçari do të “akuzohet për kalim të paligjshëm të kufirit”. “Konsullata jonë e Përgjithshme në Moskë kontaktoi autoritetet ruse dhe kërkoi mbrojtje konsullore”, thanë burimet për AFP.
Më 2 shtator, Sehily, i cili u largua nga kryeqyteti portugez më 1 korrik, sipas L’Equipe, tha në llogarinë e tij në Instagram se kishte ngecur në kufirin sino-rus pasi kishte tentuar dy herë të hynte në territorin rus.
Një ish-punonjës i revistës Telerama, Sofian Sehily specializohet në çiklizëm ultra-distance, që përfshin gara që shtrihen në qindra ose mijëra kilometra. Në faqen e tij të internetit, ai pretendon se ka fituar 11 nga më shumë se 25 garat në të cilat ka marrë pjesë që nga viti 2016. Në vitin 2017, ai udhëtoi nga Parisi në Tajvan, duke përshkuar 16,000 kilometra në tre muaj.