Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar një valë të re reagimesh pas deklaratës së tij se dhuna në familje nuk duhet të përfshihet në statistikat zyrtare të krimit, duke e minimizuar abuzimin bashkëshortor si “një sherr i vogël me gruan.”
Komentet erdhën gjatë një fjalimi në Muzeun e Biblës në Washington, ku Trump lavdëroi fushatën e tij kundër krimit në kryeqytetin amerikan. Ai madje pretendoi, në mënyrë të pavërtetë, se masat e tij kishin “zhdukur plotësisht” krimin në D.C. “Ka zero krim,” tha ai. “Ata thonë: ‘Krimi ka rënë me 87%.’ Jo, është edhe më shumë se 87% – praktikisht asgjë.”
Në realitet, sipas të dhënave të policisë të cituara nga The New York Times, vetëm të dielën e fundit në Washington u shënuan një vrasje, gjashtë vjedhje makinash, dy sulme me armë, katër grabitje dhe mbi 30 raste të tjera vjedhjesh.
Por pikërisht komentet për dhunën në familje ndezën reagimin më të madh: “Gjërat që ndodhin brenda shtëpisë, ata i quajnë krim,” tha Trump. “Nëse një burrë ka një sherr të vogël me gruan, ata thonë se kjo është skenë krimi.”
Deklaratat u bënë virale dhe u dënuan ashpër në rrjetet sociale. Strategistja republikane Sarah Longwell e quajti këtë “një përçmim të hapur për dhunën në familje si krim,” ndërsa përdorues të tjerë theksuan se “një grua vdes çdo 11 orë nga dhuna në familje” dhe akuzuan presidentin për banalizim të një fenomeni vdekjeprurës.
Trump ka përdorur vazhdimisht retorikën e krimit për të goditur qytetet e drejtuara nga demokratët, duke dërguar edhe Gardën Kombëtare në Los Angeles në qershor për të shtypur protestat kundër ICE. Por komentet e fundit kanë hapur një debat të ri të ashpër mbi mënyrën se si ai e sheh dhe e trajton çështjen e dhunës në familje.