FLASH :

Zbulohet kampi i fshehtë ku fëmijët e Tom Phillips jetuan për 4 vite/ Babai i arratisur u vra në përplasjen me policinë

Policia e Zelandës së Re ka publikuar fotot e kampit të mjerueshëm ku u gjetën tre fëmijët e Tom Phillips, babait të arratisur që u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me oficerët të hënën. Jayda, 12 vjeç, Maverick, 10, dhe Ember, 9, kaluan gati katër vite të fshehur në pyjet e Waitomo, pas zhdukjes së tyre në dhjetor 2021.

Phillips, 38 vjeç, u përball me policinë pas një grabitjeje të armatosur në Piopio, ku u kap me vajzën e tij Jayda mbi një motor katër rrotësh. Pas vendosjes së bllokuesve në rrugë, ai qëlloi një oficer në kokë me pushkë, duke e lënë të plagosur rëndë. Forcat e tjera reaguan menjëherë dhe e qëlluan për vdekje. Jayda u ndalua në vendngjarje, ndërsa dy fëmijët e tjerë u gjetën disa orë më vonë në një kamp të improvizuar 2 km larg, ku policia sekuestroi armë, dronë dhe mjete të tjera.

Autoritetet thanë se fëmijët janë në kujdesin e shërbimeve sociale dhe po marrin ndihmë për t’u rikuperuar pas traumës. Nëna e tyre, Catherine, tha në një deklaratë se “ata janë munguar çdo ditë për katër vite” dhe shpreson t’i rikthejë në një jetë të sigurt. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar nëse Phillips ka pasur mbështetës gjatë arratisjes, ndërsa ngjarja ka ndarë opinionin publik në Zelandën e Re, ku disa banorë lokalë e konsideronin atë si “hero të padrejtësive”.