FLASH :

Skandal në Hollywood/ Gazetarja italiane akuzohet për racizëm gjatë intervistës me Julia Roberts, Andrew Garfield dhe Ayo Edebiri

Një intervistë televizive në Itali ka shkaktuar polemika të mëdha pasi gazetarja Federica Polidoro u akuzua se injoroi aktoren me ngjyrë Ayo Edebiri gjatë pyetjeve për lëvizjet Black Lives Matter dhe #MeToo, duke u fokusuar kryesisht tek Julia Roberts dhe Andrew Garfield. Momenti i sikletshëm, ku Edebiri u duk e përjashtuar nga biseda, u bë viral në rrjetet sociale dhe solli reagime të forta ndaj gazetares.

Në klipin e shpërndarë, Julia Roberts madje i tha Polidoros: “Mund ta përsëritni? Me syzet e diellit nuk kuptoj kujt po i flisni.” Andrew Garfield gjithashtu u pa duke ia lënë hapësirën kolegeve për të folur, ndërsa Edebiri, pavarësisht injorimit, u përgjigj me maturi dhe nuk lejoi që zëri i saj të heshtet. Komentuesit në Reddit dhe X e cilësuan sjelljen e gazetares si shembull të qartë racizmi.

Pas reagimeve të shumta, Polidoro u kundërpërgjigj ashpër në Instagram, ku tha se ishte viktimë e “cyberbullying” dhe e akuzave të pabaza. Ajo theksoi se intervista u publikua e plotë dhe se të gjitha përgjigjet e aktorëve u transmetuan pa ndërprerje. “Nuk ekziston ndonjë protokoll që përcakton se në çfarë radhe duhet t’u bëhen pyetjet të ftuarve,” tha ajo, duke shtuar se akuzat për racizëm janë të pabaza pasi ajo ka punuar mbi 20 vite me njerëz të çdo prejardhjeje.

Gazetarja mohoi me forcë çdo prirje raciste, duke përmendur origjinën multietnike të familjes së saj, dhe paralajmëroi se do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj atyre që kanë përdorur gjuhë fyese dhe sulme personale ndaj saj. Ndërkohë, Edebiri është vlerësuar gjerësisht për qetësinë dhe dinjitetin me të cilin reagoi në këtë situatë të sikletshme.