Ligjvënësit amerikanë kanë publikuar një seri dokumentesh nga pasuria e Jeffrey Epstein, mes tyre edhe një “libër ditëlindjeje” i përgatitur në vitin 2003 për financierin e dënuar për pedofili. Në këtë libër ndodhet një shënim i dyshuar i firmosur nga presidenti aktual i SHBA, Donald Trump – i cili përmban një vizatim të trupit të një gruaje dhe një mesazh të gjatë urimi.
Shtëpia e Bardhë reagoi menjëherë, duke e cilësuar shënimin “fals” dhe duke theksuar se “Presidenti Trump nuk e ka vizatuar këtë figurë dhe nuk e ka firmosur.” Demokrati Robert Garcia tha se publikimi i dokumentit provon se Trump “gënjeu duke mohuar ekzistencën e tij,” ndërsa republikanët akuzuan demokratët se po “politizojnë” materialet e dosjes Epstein.
Libri, i titulluar “The First Fifty Years”, u hartua për 50-vjetorin e Epstein nga Ghislaine Maxwell, ish-partnerja e tij e dënuar në 2021 për trafik seksual. Në të ka dhjetëra shënime nga personalitete të njohura, përfshirë një mesazh të Lord Peter Mandelson, ish-ambasador britanik në SHBA, si dhe një shënim që duket të jetë i ish-presidentit Bill Clinton. Gjithashtu, në libër përmendet shkurtimisht edhe Princi Andrew.
Publikimi i këtyre dokumenteve vjen në një moment presioni në rritje ndaj Trump, i cili është përballur më herët me një raportim të Wall Street Journal për shënimin, duke reaguar me një padi prej 10 miliardë dollarësh ndaj Rupert Murdoch dhe medias që botoi lajmin. Ndërkohë, viktimat e Epstein vazhdojnë të kërkojnë transparencë të plotë dhe publikimin e “dosjeve Epstein.”