Pamje sigurie kanë kapur momentin dramatik kur mbi 15 persona të maskuar me kapuçë dhe të armatosur me mjete të forta, kryen një grabitje të guximshme në një argjendari në San Jose, Kaliforni.
Ngjarja ndodhi pasditen e së premtes në “Kim Hưng Jewelry”, kur një automjet tip Ford Explorer u përplas me dyqanin, duke thyer hyrjen dhe duke hapur rrugë për bandën. Grabitësit hynë me shpejtësi, thyen xhamat e vitrinave dhe morën bizhuteri me vlerë, ndërsa pronari 88-vjeçar u rrëzua dhe u lëndua. Ai u trajtua për prerje nga xhamat, por në spital mjekët zbuluan se kishte pësuar edhe një goditje në tru. Nipi i tij deklaroi për NBC Bay Area se i moshuari nuk do të mund të rikthehet më në punë.
Policia konfirmoi se grabitësit ishin të armatosur dhe se u larguan me disa automjete para mbërritjes së forcave të rendit. Deri tani, asnjë prej tyre nuk është identifikuar apo arrestuar.
Ngjarja ka ndezur debat politik në Kaliforni, ku aktivistë dhe përfaqësues lokalë kërkojnë më shumë fonde për të luftuar krimin. Kryetarja e bashkisë së Milpitas, Carmen Montano, e quajti situatën “valë krimi që po ndodh kudo” dhe akuzoi guvernatorin Gavin Newsom për mungesë financimi të mjaftueshëm për masat parandaluese, përfshirë zbatimin e plotë të Propozimit 36, i cili rrit dënimet për grabitjet.
Zyra e guvernatorit u kundërpërgjigj duke thënë se Newsom ka nënshkruar ligje të reja kundër grabitjeve të organizuara dhe ka dhënë miliona dollarë për policinë, përfshirë 8.5 milionë dollarë vetëm për San Jose, si dhe ka krijuar një task-forcë të posaçme në kuadër të Patrullës së Autostradës së Kalifornisë.