Një shumicë e qytetarëve në pesë shtetet më të mëdha të Bashkimit Europian mendojnë se Komisioni Europian ka tradhtuar interest e tyre duke pranuar një marrëveshje tregtare “poshtëruese” me presidentin amerikan Donald Trump e cila favorizon SHBA-të në kurriz të Europës.
Sipas sondazhit të Cluster17 për platformën Le Grand Continent, 77% e të anketuarve besojnë se marrëveshja i shërben kryesisht ekonomisë amerikane, ndërsa vetëm 2% shohin përfitime për Europën. Nga Franca (89%) deri në Poloni (50%), pakënaqësia ishte e dukshme, ndërsa mesatarisht 52% e konsideruan marrëveshjen e arritur në korrik nga Trump dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si një “poshtërim”.
Marrëveshja parashikon heqjen e tarifave për të gjitha mallrat industriale amerikane dhe akses preferencial për produktet bujqësore e detare të SHBA. Nga ana tjetër, mallrat europiane që hyjnë në SHBA do të përballen me një tarifë bazë prej 15%. Gjithashtu, BE detyrohet të investojë 600 miliardë dollarë në SHBA, të blejë 750 miliardë dollarë energji amerikane dhe të rrisë shpenzimet për eksportet e mbrojtjes amerikane.
Ndërsa Ursula von der Leyen e cilësoi marrëveshjen si një “arritje të madhe” që solli stabilitet dhe shmangu tarifat 30% të kërcënuara nga Trump, sondazhi tregon se qytetarët europianë nuk ndajnë të njëjtin mendim.
Rezultatet flasin qartë:
- 75% thonë se von der Leyen i ka mbrojtur interesat europiane “keq” ose “shumë keq”.
- 70% janë të gatshëm të bojkotojnë mallrat amerikane.
- 44% e shohin Trump si “armiq të Europës”.
- 47% mendojnë se ka “tendenca autokratike”, ndërsa 36% e përshkruajnë si “sjellje diktatori”.
Vetëm pak ditë para fjalimit të saj “State of the Union”, 60% e të anketuarve thonë se do ta mirëprisnin dorëheqjen e von der Leyen.
Megjithatë, shumica e qytetarëve, nga 85% në Spanjë deri në 61% në Francë, mendojnë se vendet e tyre duhet të mbeten pjesë e BE-së. Por 37% paralajmërojnë se nëse Brukseli nuk i mbron nga rreziqet gjeopolitike, edhe dalja nga unioni “duhet të merret në konsideratë”.