FLASH :

Tërmeti i fortë godet Greqinë, u ndje fuqishëm në Athinë: Thellësia vetëm 2.3 km!

Një tërmet i fortë me magnitudë 5.2 Rihter ka tronditur ishullin Evia, të dytin më të madh në Greqi, pak minuta më parë.

Lëkundja, me epiqendër vetëm 4 kilometra larg fshatit Nea Styra dhe me thellësi shumë të vogël, vetëm 2.3 kilometra, u ndje fuqishëm edhe në Athinë, duke shkaktuar panik mes banorëve.

Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar.

Momenti i tërmetit është kapur edhe nga kamerat e një emisioni televiziv. Gazetarët e ERTNews, gjatë transmetimit live në “Off The Record”, u ndërprenë nga lëkundjet e forta që bënë të dridheshin kamerat në studio. Ata reaguan menjëherë duke thënë se “aktualisht është në zhvillim një tërmet i fuqishëm”.

Rreth 15 minuta pas tërmetit kryesor është regjistruar një pasgoditje prej 2.5 Rihter, ndërsa pak orë më herët zona kishte dhënë edhe një tjetër lëkundje prej 2.6 Rihter.

Sizmologu Efthymis Lekkas deklaroi se kjo zonë nuk njihet për tërmete të mëdha, por paralajmëroi se priten pasgoditje që mund të kalojnë magnitudën 4 Rihter. Ai shtoi se të dhënat po vlerësohen me kujdes, duke pasur parasysh edhe afërsinë me zonën e Oroposit, e cila ka dhënë lëkundje më të forta në të kaluarën.

Ndërkohë, Policia dhe Shërbimi i Emergjencave në Greqi janë vënë në gatishmëri në rajonet e Atikës dhe Evias, por autoritetet konfirmojnë se deri tani nuk ka asnjë raportim për dëme.