FLASH :

Me skafandër dhe pistoletë në dorë, dalin pamjet e Ragip Gilës pasi kreu masakrën në Shkodër

Kanë dalë pamjet e para të autorit të masakrës në Shkodër, Ragip Gila, i cili pas kryerjes së krimit është larguar nga vendi i ngjarjes me një qetësi tronditëse. Në video, Gila shfaqet me skafandër në kokë, për të mos u identifikuar, dhe me armën e krimit në dorë, teksa del nga lokali ku ndodhi atentati. Ai largohet fillimisht në këmbë, më pas ndalon një qytetar dhe, nën kërcënimin e armës, i rrëmben automjetin për t’u larguar me shpejtësi. Masakra ndodhi pranë Bashkisë së Shkodrës, ku Ragip Gila qëlloi me breshëri ndaj dy personave që ishin ulur në një lokal.

Objektivi i dyshuar i atentatit ishte Erogen Brajoviç, i cili mbeti i plagosur rëndë, ndërsa humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi), ky i fundit truprojë e Brajoviçit. Truproja ndërroi jetë në spital nga plagët e marra. Po ashtu, u plagos edhe kamarierja e lokalit, 25-vjeçarja Meri Kaceri. Pas atentatit, Gila u largua me makinën e grabitur deri në lagjen Skënderbeg, ku u përfshi në një aksident duke u përplasur me disa automjete. Ai braktisi makinën dhe tentoi të arratisej në këmbë në drejtim të lumit Kir, ndërsa policia vijoi ndjekjen për kapjen e tij.