Unë, Erogen Millan Vaso (Brajoviç), e bëj këtë reagim për mediat dhe opinionin publik.
Në këto momente të vështira jo vetëm për mua, i shpreh ngushëllimet e ndjera familjarëve të dy miqve të mi që ishim së bashku sot në mëngjes në një kafe në qendër të Shkodrës. Ata ishin qytetarë model të Shkodrës, familjarë të respektuar nga gjithë komuniteti. Dora e pabesisë së një vrasësi i shkëputi sot nga jeta, teksa ishim së bashku, dhe për mua personalisht është dhimbje e rëndë dhe plagë që nuk mbyllet! Qofshin në paqe me Zotin Armando dhe Geridoni! Zoti u dhëntë forcë familjeve të tyre! Gjithashtu i uroj shërim të shpejtë vajzës së plagosur në këtë ngjarje.
Distancohem plotësisht nga informacione që lidhin personin tim me emra dhe grupe të caktuara në Shkodër.
Jam sipërmarrës në disa biznese, një pjesë trashëguar nga babai im, gjithashtu ai sipërmarrës deri në fund të jetës, ish-futbollist i Shkodrës dhe kombëtares shqiptare.
Unë kam qenë, për shkak edhe të traditës familjare, ish-futbollist i ekipit të Vllaznisë, ish-president i klubit të futbollit Tërbuni të Pukës. Familja ime ka pasur një histori përndjekjeje politike para viteve ’90, por edhe vite më pas, për shkak se ka përfaqësuar komunitetin malazez në qarkun e Shkodrës. Për interesat e këtij komuniteti dhe të Shkodrës, kam shërbyer me korrektësi për disa vite anëtar i këshillit bashkiak të qytetit tim, ashtu sikurse kishte shërbyer njëri prej miqve të mi të afërt që humbi jetën sot.
Jam informuar në spital se autori është ndaluar dhe shpresoj të zbardhen sa më shpejt motivet e këtij akti të rëndë tragjik! Sa për lidhje të tjera që aludohen në media, sqaroj se duhen lënë institucionet e ligjit të trajtojnë këto çështje.