Policia federale e Belgjikës nisi këtë të hënë një njoftim të ri kërkimi në kuadër të vrasjes së Agustin Kazës, i cili u ezekutua ndërsa ishte ulur në tarracën e një kafeje në rrugën ‘Joseph Brand’ në Bruksel, të dielën më 28 prill 2024, rreth orës 22:30.
Përveç autorit të të shtënave, i cili “mund të çalonte”, “mbante një salopetë të errët me një shirit të kuq në nivelin e shpatullave, një logo të bardhë në pjesën e gjoksit, një kapele dhe një kapuç” dhe që është ende në kërkim, hetuesit po përpiqen gjithashtu të identifikojnë “një burrë me trup të fuqishëm” i cili “mbante xhinse gri të errët, një bluzë të zezë me kapuç dhe një kapele të zezë”.
Për rikujtim, pista kryesore që po ndjekin hetuesit është ajo e një larjeje hesapesh në kuadër të një krimi nderi mes shtetasve shqiptarë. Me fjalë të tjera: vrasja e Agustin Kazëss do të ishte rezultat i zbatimit të ligjit të Kanunit (një kod i së drejtës zakonore mesjetare, në të cilin vazhdojnë ende t’u referohen disa klane shqiptare), sipas të cilit një vrasje duhet të hakmerret me vrasjen e një burri të familjes së fajtorit. Dhe, në rastin konkret, bëhet fjalë për një vëlla të Agustinit – Martinin – i cili vrau dy vëllezër të së njëjtës familje në Shqipëri… në korrik 1997; dy vëllezër të së njëjtës familje që vetë akuzoheshin se më parë kishin vrarë vëllanë e tyre… në vitin 1994!