Nëna e Martin Canit, 14-vjeçarit që u vra me thikë në afërsi të shkollës “Fan Noli” ka bërë një reagim prekës në nisje të këtij viti shkollor.
Përmes një postimi në rrjete sociale, nëna e Martinit thekson dhimbjen që ndjen për humbjen e të birit, ndërsa ka akuzuar mësuesit se këta të fundit nuk e mbrojtën dhe nuk vunë në dijeni për zënkën që kishte me autorin (bashkëmoshatarin Mario Përlleshaj).
Sipas saj, ishte neglizhenca e mësuesve që çoi në tragjedi.
Postimi i nënës së Martin Canit
I dashur Martin,
Po fillon një vit i ri shkollor pa ty dhe zemra ime nuk duron këtë boshllëk. Unë ndjehem e humbur, e thyer, e plagosur. Çdo ditë që kalon është e rëndë, më mungon buzëqeshja jote, dashuria, energjia dhe prania jote.
Martini im, ti ishe dritë e syve të mi, ëndrra ime, shpresa ime. Ikja jote mizore nga kjo botë më mori frymën, por nuk mund të marrë kurrë dashurinë për ty as vdekja nuk mund ta shuajë.
Dhimbja ime bëhet edhe më e madhe kur mendoj se kjo tragjedi mund të ishte shmangur. Mësuesit nuk të mbrojtën dhe nuk vunë në dijeni për zënkën që kishe me moshatarin tënd. Ishte neglizhenca e tyre që çoi deri këtu, sepse po të kishin qenë më vigjilentë, unë sot do ta kisha ende në jetë dritën e syve të mi.
