Nuredin Dumani la spitalin pas rreth 24 orëve, pasi ai iu nënshtrua kontrolleve të shumta.
Nën masa të rrepta sigurie, për shkak të statusit të tij si dëshmitar i drejtësisë për një mori vrasjesh e grabitjesh me dhunë, Dumani bëhet me dije se nuk ka rezultuar me probleme kardiake, ndërsa në lidhje me analizat për gjendjen e tij shëndetësore do të flitet më vonë, pasi të kenë përfunduar të gjitha analizimet e mjekëve që asistuan rastin e tij.
Dumani, i cili është nën akuzë për dhjetëra krime të rënda që nga vrasjet, tentativat e vrasjeve e deri të hedhjet në erë me tritol pranoi të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë për të rrëfyer akte makabre të tij, miqve dhe ushtarëve të tij. Për shkak të pozicionit si dëshmitari kyç i një prej dosjeve që mbart me dhjetëra akte mafioze e kriminale, Dumani është mbajtur nën survejim të veçantë jo vetëm nga Drejtoria e Burgjeve, por edhe nga ana e policisë, për të siguruar që të mos i rrezikohet jeta.
Ashtu siç në fakt është kërkuar të merren masa sigurie edhe për vëllanë e tij, i cili gjendet në qeli, si një prej personave që është në dijeni të krimeve jo vetëm të të vëllait po edhe të një sërë shokësh të tij.
SHTRIMI NË SPITAL
I dërguar me urgjencën e QSUT-së dy ditë më parë, në masa të forta sigurie, i penduari Nuredin Dumani la pasditen e djeshme ambientet spitalore, pasi u shtrua në reanimacion dhe iu nënshtrua një kontrolli të plotë shëndetësor për 24 orë, përfshirë të gjitha analizat e nevojshme, për të kuptuar shkaqet e aritmisë së shkaktuar një ditë më parë. Edhe ditën e shtunë i penduari u ruajt me masa të forta policore, për shkak të statusit të tij.