Një foto e autorit të dyshuar të vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxha në Vlorë është bërë publike për herë të parë. Bëhet fjalë për Daniel Cornea, 53 vjeç, shtetas rumun, i cili është shpallur në kërkim që nga prilli i këtij viti.
Pamja e tij është siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, ndërkohë që autoritetet shqiptare vijojnë përpjekjet për kapjen e tij, pas më shumë se pesë muajsh hetime intensive.
Krimi ndodhi mëngjesin e 27 prillit 2025, në lagjen “Hajro Çakërri” të Vlorës, teksa viktima ishte duke shkuar në vendin e punës si roje objekti. Ai u qëllua me dy plumba në kokë dhe një tjetër në trup, në një atentat të organizuar dhe me saktësi profesionale.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, mënyra e ekzekutimit lë pak vend për dyshim se bëhet fjalë për një goditje të qëllimshme me synimin për eliminim total të viktimës.
Pista kryesore mbi të cilën po punojnë hetuesit është një konflikt i mundshëm mes autorit dhe viktimës, por motivet e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta. Ndërkohë, fotoja e publikuar e Cornea-s pritet t’i shërbejë identifikimit të tij dhe nxitjes së bashkëpunimit nga qytetarët për kapjen sa më të shpejt.