Dy policë humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë gjatë një sulmi me armë zjarri ndaj një komisariati policie në qytetin e Izmirit, në Turqinë perëndimore.
Autori i dyshuar, që sipas raportimeve është 16 vjeç, hapi zjarr ndaj komisariatit në zonën Balçova.
Sipas NTV, adoleshenti është arrestuar nga autoritetet, ndërsa 6 persoan të tjerë janë plagosur.
16-vjeçari me iniciale E.B., i cili kreu sulmin, u pa duke ardhur në vendngjarje i veshur me pallto dhe duke mbuluar fytyrën, pavarësisht motit të nxehtë dhe kishte me vete një sasi të madhe municionesh.
Guvernatori i Izmirit, Süleyman Elban, bëri një deklaratë në vendngjarje në lidhje me sulmin.
“Sulmuesi u arrestua me lëndime. Ai po merr trajtim në Spitalin Shtetëror të Alsancak. Ai nuk ka precedentë të mëparshëm penalë. Hetimet për incidentin janë ende duke vazhduar. I dyshuari për vrasje është 16 vjeç dhe jeton në këtë rrugë. Incidenti do të sqarohet së shpejti. Incidenti është kryer me një pushkë me pompë të blerë nga babai i tij’, tha ai.
Turqia është përballur edhe më parë me sulme të ngjashme të kryera nga grupe të armatosura kurde, organizata islamiste dhe grupe të majta ekstreme, me forcat e sigurisë që shpeshherë shënjestrohen si objektiv i këtyre sulmeve.