FLASH :

Nis viti i ri shkollor! 26 500 nxënës ulen për herë të parë në banka

Sot, më 8 shtator, nis viti i ri shkollor në të gjithë vendin. Rreth 345 mijë nxënës ulen në bankat e shkollës, 26.500 prej të cilëve për herë të parë, ndërsa 31 mijë mësues do të jenë në dispozicion për procesin mësimor.

Ministria e Arsimit ka njoftuar se këtë vit është përforcuar mbështetja për nxënësit me aftësi të kufizuara, me 2,260 mësues ndihmës, 150 më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Gjithashtu, transporti falas do të ofrohet për 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues, ndërsa 3,500 bursa janë vënë në dispozicion për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje financiare.

Ky vit shënon hapjen e 30 shkollave të reja dhe të rehabilituara, si dhe vënien në funksion të 340 laboratorëve SMART, të cilët synojnë të rrisin cilësinë e procesit mësimor. Nga ana tjetër, 236 mijë nxënës janë pajisur me libra falas. Sipas INSTAT, në Shqipëri llogariten rreth 1000 shkolla 9-vjeçare publike dhe rreth 380 shkolla të mesme.

Nga shtimi i efektivëve pranë shkollave, mbyllja e ambulantëve që shesin alkool e deri te vlerësimi i çdo situate, policia ka përpiluar plan të mirëfilltë për nisjen e vitit të ri shkollor. Plani parashikon rritjen e pranisë së efektivëve pranë institucioneve arsimore, sidomos gjatë orarit të nisjes së mësimit, përfundimit apo pushimit të madh.
Po ashtu, do të merren masat edhe për mbylljen e pikave ambulante që tregojnë alkool pranë shkollave, apo produket ushqimore të skaduara. Kontroll është parashikuar edhe për nxënësit që mund të mbajnë me vete sende të jashtëligjshme, që shpesh janë shkas për tragjedi. Policia thotë se ka marrë masat për të vlerësuar çdo informacion për konflikte të mundshme, përfshirë fenomenin e bullizmit.

Vetëm 60 oficerë sigurie do të jenë gati për të ruajtur rendin dhe qetësinë në shkolla, pavarësisht se numërohen rreth 1400 institucione të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm. Ministrja e Arsimit tha se gjithsesi në tetor do të jenë në punë 400 oficerë sigurie, pasi t’i nënshtrohen trajnimit. 60% e shkollave nuk do të kenë oficerë sigurie, pasi sipas një vendimi qeverie të muajit prill 2025, një shkollë 9-vjeçare mund të ketë oficer sigurie, vetëm nëse ka mbi 350 nxënës, ndërsa gjimnazet, kur kanë mbi 80 nxënës.