Mijëra qytetarë, stilistë mode, politikanë, sipërmarrës dhe personalitete nga bota e sportit dhe artit, kanë mbërritur në Milano për t’i bërë nderimet e fundit stilistit legjendar italian, Giorgio Armani.
Krijuesi i famshëm i modës ndërroi jetë të enjten në moshën 91-vjeçare. Ai u nderua me një homazh emocional në Teatro Armani, vendi ku për pesë dekada me radhë u prezantuan koleksionet e shtëpisë së tij të modës.
Të shtunën, mbi 6.000 persona vizituan hapësirën që ishte dekoruar me trëndafila të bardhë dhe qirinj. Ndër të pranishmit ishin kryetarja e bashkisë së Milanos, stilistja Donatella Versace, si dhe shumë përfaqësues të modës italiane dhe ndërkombëtare.
Vizitat vazhduan edhe të dielën, me radhë që nisën të formoheshin që nga ora 07:00 e mëngjesit. Në total, mbi 15.000 persona nga e gjithë Italia udhëtuan drejt Milanos gjatë fundjavës për të dhënë lamtumirën e fundit.
Në ceremoni morën pjesë, ndër të tjerë, stilistët Luisa Lusardi (Max Mara), Santo Versace, Dean dhe Dan Caten (Dsquared2), si dhe presidenti i Lombardisë, Attilio Fontana, i cili e përshkroi Armanin si “një gjeni dhe një sipërmarrës të jashtëzakonshëm”.
Të pranishëm ishin gjithashtu ministrja e Arsimit dhe Kërkimit Shkencor Anna Maria Bernini, sipërmarrësi dhe presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, si dhe figura të njohura nga arti dhe sporti si aktorja Isabella Ferrari, Afef Jnifen, gazetarja Cristina Parodi, kampionia olimpike Federica Pellegrini dhe ish-futbollisti Marco Tardelli.
Përveç figurave publike, shumë qytetarë të zakonshëm donin të përshëndeteshin për herë të fundit me stilistin që la gjurmë në modën botërore.
Christian Moncada, një banor i Milanos, deklaroi: “Gjithmonë binte në sy për elegancën, stilin, dhe mbi të gjitha për thjeshtësinë dhe përulësinë. Mendoj se duhet ta kujtojmë për aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të qenë i madh përmes thjeshtësisë.”
Ndërkohë, Alfonso Di Gennaro, që kishte udhëtuar nga Torino, tha: “Kemi qenë gjithmonë klientë të tij. Erdha posaçërisht për ta përshëndetur. Pata fatin ta takoja dhe të firmoste në dorën e gruas sime. Kjo do të na e kujtojë gjithmonë.”
Varrimi i Giorgio Armanit do të mbahet të hënën pasdite në një ceremoni private në fshatin Rivalta di Gazzola, në provincën e Piacenzës. Ai do të prehet në varrin familjar, pranë prindërve të tij, Maria dhe Ugo, si dhe vëllait të tij, Sergio.
Fshati do të jetë në gatishmëri të plotë gjatë ceremonisë. Sipas mediave italiane, Armani e vizitonte shpesh Rivalta-n, si për të nderuar varrin familjar, ashtu edhe për të shijuar gatimet lokale, përfshirë specialitetin tradicional “tortelli con la coda”.
Milano do ta përshëndesë sërish “Mbretin Giorgio” më 28 shtator, me një sfilatë madhështore në Palazzo Brera, e cila do të jetë e dedikuar 50-vjetorit të historisë së shtëpisë së modës Armani.