FLASH :

Droni i Houthive godet aeroportin Ramon në Izrael, sirenat dështojnë – dy të plagosur

Një dron i lëshuar nga rebelët Houthi në Jemen goditi të dielën sallën e mbërritjeve në Aeroportin Ndërkombëtar Ramon, në jug të Izraelit, sipas ushtrisë izraelite dhe Autoritetit të Aeroporteve të Izraelit.

Incidenti ngjalli shqetësim të madh pasi nuk u aktivizuan sirenat paralajmëruese, një dukuri e rrallë në vendin që ka një nga sistemet më të sofistikuara të mbrojtjes ajrore në botë. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se droni ishte zbuluar, por nuk ishte klasifikuar si kërcënim, duke i lejuar të kalonte përmes mbrojtjes ajrore. Ushtria shtoi se nuk ka tregues për defekt teknik, ndërsa një hetim i thelluar është në zhvillim.

Nga sulmi u raportuan dy persona të plagosur lehtë, sipas shërbimit izraelit të emergjencës Magen David Adom. Video të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë dritare të thyera dhe dysheme të mbuluara me xhama në terminal.

Për rreth 90 minuta, hapësira ajrore në jug u mbyll dhe fluturimet drejt aeroportit u pezulluan, përpara se të rifillonin. Ramon Airport shërben kryesisht qytetin turistik Eilat, në jug të Izraelit.

Pas goditjes, rebelët Houthi paralajmëruan se aeroportet në “Palestinën e pushtuar” nuk janë të sigurta dhe do të mbeten objektiva të vazhdueshëm. Sulmi vjen në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe grupit të mbështetur nga Irani, i cili prej muajsh ka goditur objektiva izraelite dhe transportin ndërkombëtar në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.

Kujtojmë se në maj një raketë balistike e lëshuar nga Houthit arriti të depërtonte mbrojtjen ajrore dhe goditi aeroportin Ben Gurion pranë Tel Avivit, duke ndalur përkohësisht fluturimet. Më pas, Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme ajrore mbi objektiva ushtarake dhe udhëheqës të lartë të grupit në Sana’a.