FLASH :

I zemëruar nga bombardimi i fundit rus në Kiev, Trump: Gati për sanksione të tjera ndaj Moskës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të dielën nga Shtëpia e Bardhë se është i gatshëm të kalojë në fazën e dytë të sanksioneve kundër Rusisë, në kuadër të konfliktit në Ukrainë.

“Jemi të përgatitur për një raund të ri masash ndaj Rusisë, nëse situata në Ukrainë nuk ndryshon,” u shpreh Trump në deklaratën e tij, pa dhënë më shumë detaje mbi natyrën e sanksioneve të reja.

Ky paralajmërim vjen në një moment të tensionuar, sidomos ditën e sotme, kur mbi 800 dronë rusë goditën Ukrainën dhe kur diplomacia ndërkombëtare përpiqet të gjejë një rrugëdalje për konfliktin që vijon prej gati katër vitesh.

Edhe Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer ka reaguar ndaj sulmit të Rusisë gjatë natës në Kiev.

Starmer i ka cilësuar sulmet në Kiev dhe mbarë Ukrainën si brutale.

“Jam i tmerruar nga sulmi i fundit brutal gjatë natës në Kiev dhe në të gjithë Ukrainën, i cili vrau civilë dhe goditi infrastrukturën”, tha Sir Keir Starmer.

“Për herë të parë, zemra e qeverisë civile të Ukrainës u dëmtua”, shtoi Starmer.

“Këto sulme frikacake tregojnë se Putini beson se mund të veprojë pa u ndëshkuar. Ai nuk e ka seriozisht paqen”, tha ai më tej.

“Tani, më shumë se kurrë, ne duhet të qëndrojmë të vendosur në mbështetjen tonë për Ukrainën dhe sovranitetin e saj”, përfundoi Starmer.

Reagimet erdhën pasi Rusia ka lëshuar sulmin më të fuqishëm ajror në kryeqytetin e Ukrainës që nga fillimi i luftës. Mbi 800 dronë dhe 13 raketa goditën Kievin gjatë natës, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha.

Sipas autoriteteve ukrainase, tre persona humbën jetën – mes tyre një foshnje.

Selia e kabinetit qeveritar në Kiev u godit për herë të parë drejtpërdrejt, duke pësuar dëmtime në çati dhe katet e sipërme.

Sulmi masiv mbingarkoi sistemin e mbrojtjes ajrore të qytetit, i cili zakonisht e mbron me sukses qendrën e Kievit. Nga 805 dronë të lëshuar, 751 u rrëzuan, ndërsa 9 nga 13 raketat goditën objektiva në territorin ukrainas.

Kievi po përballet me një nga netët më të errëta të luftës. Qeveria ukrainase ka kërkuar më shumë ndihmë ushtarake nga aleatët perëndimorë, ndërsa tensionet me Rusinë vazhdojnë të përshkallëzohen.