FLASH :

Llogaritë për Botërorin, Shqipëria është e “dënuar” të fitojë ndaj Letonisë

Fitorja kundër Letonisë është rezultati i vetëm që mban të hapura llogaritë e Kombëtares Shqiptare në misionin për Kampionatin Botëror.

Dy barazimet e fundit, pikërisht ndaj ekipit letonez dhe Serbisë, e detyrojnë Silvinjon që të mos bëjë më hapa fals, të paktën në 3 ndeshjet e radhës, pa llogaritur Anglinë në fund.

E thënë ndryshe, duhen 9 pikë duke nisur që nga dita e martë në mbrëmje. Shqipëria, për momentin, ndodhet në vendin e tretë në grup dhe u parakalua nga Serbia, që fitoi 1-0 me Letoninë. Edhe Anglia bëri detyrën duke triumfuar 2-0 me Andorrën, duke blinduar vendin e parë.

Kombëtarja Shqiptare është e përqendruar maksimalisht për ndeshjen e së martës dhe, pasditen e sotme, do të zhvillojë një seancë stërvitore në orën 17:00, ku do të shohë më mirë gjendjen fizike të lojtarëve për të përzgjedhur formacionin.