Ngjarja ka shkaktuar reagim të gjerë edhe në komunitetin italian. Kryetari i Bashkisë së Campagna Lupia, Alberto Natin, ku jeton vajza dhe familja e saj, ka reaguar me indinjatë të thellë:
“Jemi të tronditur nga ajo që ka ndodhur. Vajza është një nga të rejat e komunitetit tonë, një vajzë e edukuar dhe e dashur nga të gjithë. Ne jemi pranë saj dhe familjes në këtë moment të tmerrshëm. Kërkojmë që drejtësia shqiptare të veprojë me ashpërsinë më të madhe ndaj autorit të këtij akti çnjerëzor,” ka deklaruar Natin për mediat italiane.
Mediat në Itali, përfshirë Il Gazzettino, Corriere della Sera, La Repubblica dhe të tjera, kanë cituar gjerësisht dëshminë e vajzës dhe kanë raportuar me tone të forta për këtë ngjarje, duke e cilësuar si “një traumë që nuk duhet t’i ndodhë askujt”. Ato kanë ngritur gjithashtu pyetje mbi sigurinë e turistëve në zonat bregdetare të Shqipërisë, e cila vitet e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të vizitorëve nga Italia.
Ndërkohë që Leonard Peza ndodhet në paraburgim dhe përballet me akuza të rënda për dhunë seksuale, hetimet po vazhdojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Vajza, e cila ndodhet ende nën kujdes mjekësor dhe psikologjik, pritet të kthehet së shpejti në Itali, ku do të vijojë trajtimin dhe mbështetjen nga familja dhe autoritetet vendase.