Kryeministri japonez, Shigeru Ishiba, dha dorëheqjen sot pas thirrjeve nga partia e tij për të marrë përgjegjësi për humbjen katastrofike në zgjedhjet e korrikut për Dhomën e Lartë.Kjo sjell një periudhë potencialisht të gjatë paralize politike në një moment të pasigurt për ekonominë e katërt më të madhe në botë.
Stacioni publik i transmetimit NHK tha se Ishiba mori këtë vendim për të shmangur një përçarje brenda partisë, ndërsa gazeta Asahi Shimbun raportoi se ai nuk mundi të përballonte presionin në rritje për dorëheqjen e tij.
Ishiba, i cili mori detyrën në tetor 2024, kishte rezistuar për më shumë se një muaj ndaj kërkesave, kryesisht nga kundërshtarët e djathtë brenda partisë së tij.
Ky veprim vjen një ditë para se Partia Liberale Demokratike të vendosë nëse do të mbajë zgjedhje të parakohshme për liderin – një lloj mocioni mosbesimi ndaj tij, nëse miratohet. Ishiba tha se do të nisë procesin për të zgjedhur një udhëheqës të ri partie dhe se nuk kishte nevojë për vendimin e së hënës.
Që kur ka ardhur në pushtet më pak se një vit më parë, Ishiba ka parë humbjen e shumicës së koalicionit të tij qeverisës në zgjedhjet për të dy dhomat e parlamentit, mes zemërimit të votuesve për rritjen e kostove të jetesës.
Në korrik, koalicioni qeverisës i Ishibas nuk arriti të siguronte shumicën në Dhomën e Lartë me 248 vende në një zgjedhje parlamentare thelbësore, duke tronditur më tej stabilitetin e qeverisë së tij.
Ishiba, 68 vjeç, ka udhëhequr Partinë e tij Liberal Demokratike, e cila ka qeverisur Japoninë për pothuajse të gjithë epokën e pasluftës. Ai deklaroi në një konferencë për shtyp, se do të vazhdonte detyrat e tij derisa të zgjidhej pasardhësi i tij, raporton Reuters.
Deri të dielën, ai kishte refuzuar thirrjet për t’u larguar, pas humbjes së fundit në votimin e dhomës së sipërme të korrikut. Ai ishte përqendruar në vend të kësaj në sqarimin e detajeve të një marrëveshjeje tregtare me Shtetet e Bashkuara mbi tarifat e presidentit Donald Trump, të cilat kanë trazuar industrinë kritike të automobilave të Japonisë.