Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Charlotte, Karolina e Veriut, ku një e re ukrainase, që kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara për t’i shpëtuar luftës, u vra me thikë gjatë një udhëtimi me tren urban.
Viktima është identifikuar si Iryna Zarutska, 23 vjeç, e cila ishte shpërngulur në SHBA në vitin 2022 me shpresën për një jetë më të sigurt dhe një fillim të ri. Sipas autoriteteve, ajo u godit për vdekje nga pas nga Decarlos Brown Jr., 35 vjeç, një person me precedentë penalë dhe i pastrehë.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se autori e kishte ndjekur viktimën për disa minuta, para se të nxirrte një thikë nga xhepi dhe ta sulmonte papritur. Pas krimit, ai u largua nga vendngjarja duke lënë pas një gjurmë gjaku, por u arrestua pak më vonë nga policia. Gjykata i ka mohuar lirimin me kusht dhe ai ndodhet aktualisht në paraburgim, i akuzuar për vrasje të shkallës së parë.
Familja e së resë, e cila ka hapur një faqe “GoFundMe” për mbulimin e shpenzimeve, e ka cilësuar humbjen si “të pariparueshme”, duke theksuar se Iryna kishte ardhur në SHBA për të gjetur siguri dhe stabilitet.
Mediat amerikane raportojnë se Brown kishte një histori të gjatë kriminale që nga viti 2007, përfshirë grabitje me armë, dhunë në familje, si dhe disa arrestime të tjera.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe në autoritetet lokale, të cilat kërkojnë rritjen e masave të sigurisë në transportin publik dhe mbrojtje më të madhe për qytetarët.