Kriza mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës po thellohet. Dy avionë luftarakë venezuelianë F-16 kanë fluturuar mbi Detin e Karaibeve, duke kaluar mbi një luftanije amerikane të pajisur me raketa USS Jason Dunham.
Kjo ngjarje shënon një tjetër përshkallëzim në marrëdhëniet e tensionuara mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij të Venezuelës, Nicolás Maduro, duke vënë në dukje mungesën e një kanali diplomatik mes dy vendeve.
Pentagoni e quajti fluturimin një “veprim provokues” të ndërmarrë nga “karteli që drejton Venezuelën”, dhe në reagim, urdhëroi dislokimin e 10 avionëve luftarakë F-35 në Porto Riko, zyrtarisht si pjesë e një operacioni antidrogë.
Nga ana tjetër, Maduro ka urdhëruar një ditë mobilizimi popullor kundër SHBA-ve, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino López, deklaroi se vendi është “gati për çdo sulm”.
Venezuela, ndonëse nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të përballuar SHBA-të ushtarakisht, disponon dronë kamikazë dhe mjete detare sulmuese të siguruara nga aleati i saj, Irani.
Tensioni vjen pak ditë pas njoftimit të SHBA-ve për eliminimin e 11 trafikantëve të drogës në Karaibe dhe pas dërgimit të një flote prej tetë anijesh luftarake, përfshirë tre raketa dhe një nëndetëse, në ujërat pranë Venezuelës.
Një video 29-sekondëshe e publikuar nga Trump, që tregon eliminimin e trafikantëve, ka shkaktuar reagime në disa vende të Amerikës Latine, përfshirë Kolumbinë. Venezuela e ka cilësuar videon si një “montazh i krijuar nga inteligjenca artificiale”, ndërsa Trump pretendon se bëhet fjalë për anëtarë të bandës kriminale “Tren de Aragua” që po përpiqeshin të hynin në SHBA për të “vrarë shumë njerëz”.
Siç shkruan “La Repubblica“, Maduro e ka akuzuar sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, se po nxit luftë, ndërsa ky i fundit ka paralajmëruar operacione të tjera të ngjashme në të ardhmen.
Ekspertët amerikanë aktualisht përjashtojnë një pushtim të Venezuelës, duke theksuar se Trump synon më shumë të destabilizojë regjimin e Maduro-s dhe të nxisë largimin e tij nga pushteti. Strategjia e Trump-it është e shtrenjtë dhe e ngjashme me klimën e Luftës së Ftohtë, kur Bashkimi Sovjetik përdorte Kubën për të sfiduar ndikimin amerikan në hemisferë.
Në këtë kontekst, Maduro paralajmëroi se nëse SHBA-të ndërmarrin një agresion ushtarak, Venezuela do të kalojë në një “fazë të luftës së armatosur”. Gjatë një aktiviteti ushtarak të transmetuar në televizionin shtetëror, ai foli për një “përgjigje të organizuar nga i gjithë populli për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial”.
Megjithatë, Maduro shtoi: “Asnjë nga dallimet që kemi dhe kemi pasur nuk duhet të çojë në një konflikt ushtarak.”