FLASH :

Katastrofa në Gaza/ Uria i merr jetën edhe akademikut e shkrimtarit palestinez Omar Harb

Para tetorit të vitit 2023, Harb peshonte rreth 120 kilogramë. Në një nga intervistat e tij të fundit, ai kishte rënë në 40 kilogramë.

Omar Harb, një akademik i njohur palestinez, shkrimtar dhe poet, ka ndërruar jetë nga uria e rëndë si pasojë e bllokadës izraelite që ka zgjatur për muaj të tërë në Rripin e Gazës.

Sipas raporteve të mediave lokale, Harb vdiq të enjten pas një periudhe të rëndë shëndetësore gjatë javëve të fundit. Numri i viktimave nga uria në Gaza ka arritur në 370, shumica e të cilave janë fëmijë, gra dhe të moshuar.

Në një intervistë dhënë për Al Jazeera, publikuar tre javë para vdekjes së tij, akademiku 60-vjeçar kishte përjetuar vuajtje dhe probleme shëndetësore të shkaktuara nga katastrofa që po ndodh në Gaza.

Harb kishte humbur gjithashtu të paktën 26 anëtarë të familjes së tij, përfshirë gruan, disa fëmijë dhe nipër e mbesa. Pesë shtëpi të familjes së tij ishin shkatërruar nga sulmet izraelite.

Para tetorit të vitit 2023, Harb peshonte rreth 120 kilogramë. Në një nga intervistat e tij të fundit, ai kishte rënë në 40 kilogramë.

Në këtë intervistë, ai dukej i dobët dhe i lodhur, duke shprehur hidhërimin për vështirësitë që kishte kaluar, sidomos për vrasjen e të dashurve të tij.

Ai kërkoi ushqim, medikamente, trajtim dhe një karrocë të re për invalidë, por asgjë nga këto nuk i arriti në kohën e duhur për t’i shpëtuar jetën.

Shëndeti i tij filloi të përkeqësohej pas sulmeve izraelite që shkatërruan shtëpitë e familjes së tij dhe vrasjen e disa të afërmve.