FLASH :

Hamas publikon video me pengje në Gaza teksa ushtria izraelite avancon ofensivën

Tel Aviv – Hamas të premten publikoi një video propagandistike ku shfaqen dy pengje izraelite duke u transportuar me makinë nëpër Gaza City, në një kohë kur ushtria izraelite po intensifikon ofensivën e saj mbi qytetin.

Në video, pengu Guy Gilboa-Dalal shihet brenda një automjeti që kalon në disa zona të qytetit, përfshirë edhe pranë selisë së Kryqit të Kuq Palestinez. Pamjet tregojnë ndërtesa të shkatërruara dhe janë geolokalizuar nga CNN në Gaza City. Në fund të videos, shfaqet edhe pengu i dytë, Alon Ohel, 22 vjeç, i cili përqafohet me Gilboa-Dalal dhe shfaqet i habitur nga takimi.

Gilboa-Dalal, që sipas videos është peng prej 22 muajsh, bën apel për lirimin e tij dhe të pengjeve të tjera. Ai pohon se tetë pengje ndodhen ende në Gaza City dhe paralajmëron se do të rrezikojnë jetën nëse ofensiva izraelite vazhdon. CNN nuk ka mundur të verifikojë këtë pretendim.

Protesta në Izrael dhe kundërshtime ndërkombëtare

Publikimi i videos ndodhi në ditën e 700-të të luftës, e shënuar me protesta të gjera në Izrael ku kërkohet një marrëveshje armëpushimi që do të sillte lirimin e pengjeve. Familjet e pengjeve kritikuan ushtrinë izraelite, duke paralajmëruar se operacioni ushtarak rrit rrezikun për jetët e tyre.

Qeveria izraelite, megjithatë, ka theksuar se do të vazhdojë ofensivën. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka refuzuar propozimet e Hamasit për një marrëveshje me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit, duke insistuar se vetëm një zgjidhje e plotë që përfshin lirimin e të gjithë pengjeve dhe çarmatosjen e Hamasit do të pranohet.

Përparimi i ushtrisë izraelite

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan të enjten se kontrollojnë tashmë 40% të Gaza City dhe mbi 70% të gjithë Rripit të Gazës. Sipas zëdhënësit Brig. Gjeneral Effie Defrin, operacioni do të “zgjerohet dhe intensifikohet” ditët në vijim.

Banorët e qytetit raportuan netë të tmerrshme me bombardime të rënda dhe përparim të trupave tokësore. Autoritetet shëndetësore thanë se të paktën shtatë fëmijë u vranë në sulmet e së enjtes në mbrëmje. Pamjet nga spitalet treguan fëmijë të gjakosur dhe të djegur duke marrë trajtim emergjent.

Krizë humanitare dhe akuza për “gjenocid”

Situata humanitare në Gaza City mbetet dramatike: mungesë uji, ilaçesh dhe ushqimi, ndërsa vetëm rreth 70 mijë nga një milion banorë kanë mundur të largohen nga qyteti.

Një zëdhënëse e UNICEF paralajmëroi se fëmijët në Gaza janë “duke luftuar për mbijetesë”, ndërsa një zyrtare e lartë e Bashkimit Europian, Teresa Ribera, e përshkroi situatën si “gjenocid”, deklaratë që u kundërshtua ashpër nga Ministria e Jashtme e Izraelit.

Banorë të shumtë në qytet shprehen se nuk do të braktisin shtëpitë e tyre, edhe përballë rrezikut të vdekjes. “Vdekja në shtëpinë time është më e mirë se shpërngulja,” tha një baba gjashtë fëmijësh për CNN.