FLASH :

E lidhi kalin pas makinës në lëvizje, policia merr nën hetim 60-vjeçarin nga Librazhdi

Një 60-vjeçar nga Miraka lidhi kalin pas makinës në lëvizje. Pas publikimit në media, policia nisi procedimin penal.

Policia e Elbasanit ka reaguar lidhur me një video të publikuar ditën e djeshme në media ku një kalë ishte lidhur pas një makine në lëvizje.

Ngjarja është regjistruar në Mirakë ndërsa Policia e Librazhdit ka vënë nën hetim shoferin e automjetit, 60-vjeçari me iniciale N. L., për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një kalë i lidhur me litar pas një automjeti në lëvizje, në vendin e quajtur Mirakë, ju informojmë se:

Menjëherë pas publikimit të videos, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd kanë kryer veprimet për identifikimin dhe shoqërimin e drejtuesit të automjetit.    

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin N. L., 60 vjeç, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”.