FLASH :

Melania Trump në një dalje të rrallë publike paralajmëron robotët janë këtu

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, bëri një dalje të rrallë publike në Shtëpinë e Bardhë, ku gjatë një takimi të Task-Forcës për Arsimin mbi Inteligjencën Artificiale paralajmëroi se “robotët janë tashmë këtu” dhe theksoi nevojën për të përgatitur brezat e rinj për sfidat që sjell kjo teknologji.

“E ardhmja nuk është më një koncept i letërsisë së fantashkencës. Në këtë fazë të hershme, është detyra jonë ta trajtojmë inteligjencën artificiale si fëmijët tanë – duke e fuqizuar, por gjithmonë me kujdes dhe mbikëqyrje”, u shpreh ajo.

Që prej fillimit të mandatit të dytë të presidentit Trump, Zonja e Parë ka marrë një rol më aktiv në çështje që lidhen me të rinjtë dhe edukimin. Ajo ka ndërtuar mbi nismën e saj të parë “Be Best”, duke e orientuar fokusin këtë herë drejt ndikimit të teknologjive të reja dhe mbrojtjes së fëmijëve.

Një prej arritjeve kryesore të saj është ligji “Take It Down Act”, i cili kriminalizon publikimin e imazheve intime – reale apo të gjeneruara nga inteligjenca artificiale – pa pëlqimin e individit. Ky ligj, i cili gjeti mbështetje të rrallë dypartiake në Kongres, u bë historik pasi Zonja e Parë u bë e para në detyrë që bashkë-nënshkroi një akt ligjor së bashku me Presidentin.

Përveç rolit të saj në legjislacion dhe arsim, Melania Trump ka ndërhyrë edhe në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në gusht, ajo i dërgoi një letër Presidentit rus Vladimir Putin, duke e cilësuar “të domosdoshme mbrojtjen e fëmijëve dhe të brezave të ardhshëm”. Ky veprim u pasua nga mesazhe mbështetjeje nga Zonjës së Parë të Ukrainës, Olena Zelenska, dhe Zonjës së Parë të Turqisë, Emine Erdogan.

Ekspertët vlerësojnë se Melania Trump po e përdor platformën e saj për të ngritur ndjenjën e urgjencës mbi çështjet e teknologjisë dhe mbrojtjes së fëmijëve, duke shtuar peshën e saj politike dhe shoqërore në një rol tradicionalisht të papërcaktuar qartë.

Analistët theksojnë se Zonja e Parë ka zgjedhur të jetë e pranishme vetëm në tema ku beson se mund të ketë ndikim real, duke mos ndjekur modelin e paraardhëseve të saj.
“Ajo e ushtron rolin sipas kushteve të saj duke preferuar cilësinë mbi sasinë”, shprehet Anita McBride, ish-shefe kabineti e Laura Bush .