Një aksident i rëndë ka tronditur Lisbonën, ku një tramvaj doli nga shinat dhe u përplas, duke shkaktuar 16 viktima dhe dhjetëra të plagosur. Mes tyre, një djalë gjerman 3-vjeçar u shpëtua i gjallë nga rrënojat, ndërkohë që i ati dyshohet se humbi jetën dhe e ëma është mes të lënduarve.
Autoritetet konfirmuan se viktimat i përkasin disa kombësive, përfshirë Portugalisë, Koresë së Jugut, Zvicrës, Kanadasë, Gjermanisë dhe Ukrainës. Ndërkohë, më shumë se 20 persona ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Pamjet e publikuara në rrjete sociale treguan vagonin e verdhë të rrëzuar në një rrugë me kalldrëm, ndërsa njerëzit vraponin për të shpëtuar mes tymit dhe kaosit.
Udhërrëfyesja Mariana Figueiredo tha për BBC se dëgjoi një zhurmë të fuqishme dhe vrapoi drejt vendngjarjes:
“Pasagjerët kërkonin të shpëtonin duke u hedhur nga dritaret. Kur arrita pranë vagonit, gjithçka që dëgjova ishte heshtje. Pashë trupa të pajetë dhe fëmijë që nxirreshin nga rrënojat. Skenë e tmerrshme.”
Turistë të huaj gjithashtu rrëfyen frikën e tyre. Dy vizitorë nga Singapori pohuan se një ditë më parë kishin planifikuar të udhëtonin me të njëjtin tramvaj:
“Është tronditëse… Mund të kishim qenë edhe ne aty. Nuk e imagjinon se diçka e tillë mund të ndodhë.”
Policia dhe kompania e transportit publik Carris njoftuan pezullimin e të gjithë tramvajeve në qytet deri në përfundimin e inspektimeve teknike. Një hetim i pavarur është hapur për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
Tramvaji Glória, i ndërtuar në vitin 1885 dhe një atraksion i njohur turistik, do të rikthehet në funksion vetëm pas rivlerësimit të plotë të sigurisë, thanë autoritetet.
Mbrëmjen e së enjtes, në Kishën e Shën Dominikut u mbajt një shërbesë përkujtimore ku morën pjesë drejtues të lartë të shtetit. Qytetarë të shumtë kërkuan një hetim të plotë dhe marrjen e masave për të rikthyer besimin te siguria e transportit publik në Lisbonë.