FLASH :

Video panik në Alaskë/ 24-vjeçari hero hidhet mbi personin e armatosur, shpëton turmën ndërsa policët thjesht shikonin!

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Alaska State Fair, ku vetëm guximi i një 24-vjeçari parandaloi një masakër të mundshme në një nga panairet më të mbushura me njerëz.
Jaden Perry, 24 vjeç nga Eagle River, u kthye në hero pasi arriti t’i rrëmbejë një pistoletë tip Glock me karikator të zgjatur një personi që kërcënonte të hapte zjarr në mes të turmës.
Perry ndodhej në panair për t’i ndihmuar një mikut të tij të çmontonte një stendë, kur shpërtheu një sherr masiv mes rreth 8 të rinjve. Papritur, njëri prej tyre nxori armën dhe nisi të bërtiste se do të qëllonte.
Në ato çaste, Perry nuk mendoi dy herë: u hodh mbi të, e mbajti tytën e armës të drejtuar nga toka dhe njëkohësisht shkarkoi karikatorin dhe nxori fishekun nga dhoma e qitjes, teksa agresori vazhdonte të luftonte për ta mbajtur.
Çuditërisht, sipas dëshmisë së Perry-t, shtetasit që vrapuan drejt policëve për ndihmë u injoruan nga patrullat e Shtetit të Alaskës, të cilët ndodheshin aty vetëm për një stendë rekrutimi. “Ata thanë se siguria e panairit po e menaxhonte situatën,” tregoi ai.
Megjithatë, brenda pak minutash mbërriti Policia e Anchorage dhe mori nën kontroll gjithë skenën.


“Mendova vetëm për fëmijët. Ishin kudo. Askush nuk duhet të shkojë në panair dhe të rrezikojë të varrosë fëmijën ose prindin e vet,” – tha Perry
Drejtuesit e panairit e kanë vlerësuar guximin e tij si heroik, ndërsa dhjetëra komente në TikTok e kanë quajtur 24-vjeçarin “njeri pa uniformë, por me zemër ushtari”.
Hetimet për ngjarjen dhe për origjinën e armëve vijojnë ende.