FLASH :

Izraeli i kërkon Francës të rishqyrtojë planin për njohjen e shtetit palestinez

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Shaar, i ka kërkuar Francës të rishqyrtojë planin për njohjen e shtetit palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Gjatë një bisede telefonike me homologun e tij francez, Jean-Noel Barrot, Shaar bëri të ditur se Presidenti Emmanuel Macron nuk do të jetë i mirëpritur në Izrael nëse kjo çështje mbetet në axhendë.

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme izraelite, Shaar thekson se iniciativa franceze “minon stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe dëmton interesat e Izraelit”.

Ai nënvizoi gjithashtu se Izraeli dëshiron marrëdhënie të mira me Francën, por kërkon respekt për qëndrimin e tij mbi çështjet kyçe që lidhen me sigurinë dhe të ardhmen e vendit.