FLASH :

Martesa e princeshës me shamanin, Netflix kthen në film ‘skandalin’ e dashurisë

Një histori e pabesueshme dashurie: një princeshë dhe një shaman. Martha Louise dhe Durek janë një nga ato kombinime të paparashikuara, nga dy botë të ndryshme. Kjo ishte arsyeja pse regjisorja Rebecca Chaiklin vendosi të realizonte një dokumentar për ta, një vit pas dasmës që u mbajt më 31 gusht të vitit të shkuar në Norvegji dhe Netflix është gati për të transmetuar: “Rebel Royals: An Unlikely Love Story”.

Më 16 shtator, gjiganti i transmetimit do të sjellë pamje nga dasma mbretërore që zgjati katër ditë në një fjord piktoresk, në prani të anëtarëve të Shtëpisë së Glücksburg dhe me komente nga protagonistët.

Vendimi i çiftit për të lejuar kamerat që të filmojnë ditën e dasmës dhe të shesin historinë e tyre ka shkaktuar kritika në Norvegji pasi Durek është konsideruar një sharlatan që ka magjepsur princeshën.

Marrëveshja me Netflix solli gjithashtu telashe për familjen mbretërore pasi kanali shtetëror NRK nuk u lejua që të transmetonte dasmën dhe të fotografonte familjen, pasi drejtori i komunikimit tha se kjo do të përjashtonte mediat e tjera duke mohuar aksesin e barabartë.

Dokumentani nis me një pyetje: shamani i njohur Durek Verrett ka gjetur shpirtin binjak te Martha Louise, por a do t’i mbijetojë dasma mbretërore presionit mediatik? Të gjithë mendojmë nëse dashuria do t’i tejkalojë paragjykimet.

Historia nisi në vitin 2019, kur princesha dhe shamani u njohën përmes një miku të përbashkët dhe kuptuan se ishin takuar në jetën e mëparshme, në Egjiptin e lashtë. “Kur jemi bashkë dhe shoh Martha, ndonjëherë shoh një fytyrë tjetër. Edhe ajo e sheh tek unë. Kam kujtime tonat në Egjipt, ajo ishte mbretëresha ime dhe unë një faraon”, tha Verrett për People.

Por në këtë jetë, Martha Louise është vajza e madhe e Mbretit Harald V dhe Mbretëreshës Sonja, por s’mund të ngjitet në fron pasi kurora i takon vëllait të saj, Haakon. Ajo e humbi titullin mbretëror në vitin 2002 pasi u akuzua se përdori pozitën e saj për të promovuar një biznes që e nisi me Durek. Ky i fundit është bashkëshorti i saj i dytë; i pari, Ari Behn, u vetëvra pas divorcit të tyre në vitin 2019 kur ishte 47 vjeç. Me të, ajo ka tri vajza, nga të cilat e vogla ka deklaruar se është biseksuale.

Në familjen e Haakon, thjeshtri i tij, Marius Borg, është arrestuar në Oslo dhe përballet me 32 akuza, katër nga të cilat për përdhunim.