FIFA ka bërë të ditur se Kupa e Botës 2026 do të jetë edicioni i parë në historinë e turneut ku do të përdoret sistemi i çmimeve dinamike për biletat.
Spektakli më i madh i futbollit, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, do të ketë çmime fillestare nga 60 dollarë amerikanë për ndeshjet e fazës së grupeve, deri në 6,730 dollarë për finalen. Ndryshe nga Botërori i Katarit 2022, ku çmimet varionin nga 69 deri në 1,607 dollarë, këtë herë nuk janë dhënë intervale të tjera zyrtare.
Sipas modelit të ri, çmimi i biletave do të luhatet në bazë të kërkesës, një praktikë e zakonshme në SHBA dhe Kanada, por që shpesh kritikohet nga tifozët për shkak të rritjes së tepruar të kostove.
“Mesazhi është i qartë: merrni biletat sa më herët,” deklaroi Heimo Schirgi, drejtor operativ i Botërorit 2026. “Sidomos nëse jetoni në qytetet pritëse ose jeni tifoz i një prej tri kombëtareve organizatore, atëherë e dini kur dhe ku do të luajnë.”
Pritet që rreth 6.5 milionë bileta të shiten për 104 ndeshjet e turneut ku do të marrin pjesë 48 skuadra. FIFA do të përfitojë të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave, duke i rritur ndjeshëm të ardhurat e saj, por njëkohësisht duke rrezikuar që tifozët e zakonshëm të mos kenë mundësi t’i përballojnë çmimet.
Biletat do të dalin në shitje javën e ardhshme. FIFA ka njoftuar gjithashtu se do të krijojë një platformë zyrtare të rishitjes, për të shmangur abuzimet dhe tregun informal.