Legjenda e modës italiane, Giorgio Armani, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga grupi “Armani”, i cili konfirmoi se stilisti u nda nga jeta paqësisht, i rrethuar nga familja e tij.
Në një deklaratë zyrtare, kompania u shpreh:
“Ne në këtë kompani jemi ndjerë gjithmonë si pjesë e një familjeje. Sot, me emocion të thellë, ndjejmë boshllëkun që ka lënë ai që themeloi dhe ushqeu këtë familje me vizion, pasion dhe përkushtim. Por është pikërisht në frymën e tij që ne, punonjësit dhe anëtarët e familjes që kanë punuar gjithmonë pranë z. Armani, angazhohemi të mbrojmë atë që ai ndërtoi dhe ta çojmë kompaninë përpara në kujtim të tij, me respekt, përgjegjësi dhe dashuri.”
Armani, i njohur si “mbreti i modës italiane”, la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në botën e modës dhe biznesit. Ai themeloi perandorinë e tij të modës në vitin 1975, duke sjellë një revolucion në stilin e veshjeve përmes linjave të thjeshta, elegante dhe të përjetshme.
Vdekja e tij shënon fundin e një epoke, por marka dhe ndikimi i Giorgio Armani-t do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së modës botërore.