FLASH :

USS Mount Whitney mbërrin në Durrës, mesazh i fortë partneriteti SHBA–Shqipëri

Durrës – Anija e komandës dhe kontrollit të klasit Blue Ridge, USS Mount Whitney (LCC 20), flamurtarja e Flotës së 6-të të SHBA-së, ka mbërritur sot, më 6 shtator, në Porto Romano për një vizitë të planifikuar, duke nënvizuar partneritetin e fortë dhe të qëndrueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe angazhimin e përbashkët për sigurinë rajonale.

Gjatë qëndrimit në portin MBM, anija do të organizojë një pritje zyrtare për vizitorë të shquar, ku pritet të marrin pjesë Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Nensi Van Horn, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, si dhe Komandanti i Forcës Detare.

Kjo është hera e parë që një anije ushtarake e flotës amerikane me përmasa dhe kapacitete të tilla (195x34x9.5 m) ankoron në një port shqiptar, duke e shënuar Porto Romanon si një pikë strategjike për bashkëpunimin detar në rajon dhe në Mesdhe.

Si anija komanduese dhe kontrolluese e Flotës së 6-të të SHBA-së, Mount Whitney ka rol kyç në operacionet detare për pengimin e kundërshtarëve rajonalë, mbrojtjen e sovranitetit të aleatëve dhe partnerëve, si dhe sigurimin e interesave të SHBA-së në Evropë dhe Afrikë.

Komanda e Flotës së 6-të, me seli në Napoli, Itali, kryen spektrin e plotë të operacioneve ajrore, tokësore dhe detare, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë, duke forcuar sigurinë dhe stabilitetin në dy kontinente.