Despotit rus Vladimir Putin i ka shpëtuar një deklaratë e pazakontë gjatë një bisede private me presidentin kinez Xi Jinping dhe liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në Pekin. Në kuadër të 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ku morën pjesë dhjetëra liderë botërorë, Putin u dëgjua të fliste për mundësinë e arritjes së pavdekësisë përmes transplanteve të organeve dhe procedurave të avancuara mjekësore.
“Organet e njeriut mund të transplantohen vazhdimisht. Sa më gjatë të jetosh, aq më i ri bëhesh dhe madje mund të arrish pavdekësinë,” tha Putin. Ndërkohë Xi iu përgjigj përmes përkthyesit: “Më herët, njerëzit rrallë jetonin deri në 70 vjeç, por sot në këtë moshë konsiderohesh ende fëmijë. Parashikimet flasin se këtë shekull mund të arrihet deri në 150 vjet jetë.”
Deklaratat marrin një dimension të frikshëm në sfondin e akuzave të rënda ndaj Kinës për korrupsion shëndetësor dhe përdorim të organeve të minoriteteve të burgosur, si ujgurët, tibetasit dhe praktikuesit e Falun Gong. Ekspertë të OKB-së kanë konfirmuar që në vitin 2021 se kanë informacione të besueshme për testime mjekësore të detyruara dhe korrje organesh pa pëlqimin e të burgosurve.
Nga ana tjetër, Moska ka dhënë urdhër vitin e kaluar që institucionet shkencore të punojnë për një “kurë ndaj plakjes”, duke kërkuar medikamente që luftojnë çrregullimet kognitive, plakjen qelizore dhe dobësimin e sistemit imunitar. Kërkesa, sipas një studiuesi anonim rus, u shoqërua me presion urgjent për rezultate të menjëhershme.







