Një raport i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit ka ngritur alarmin për gjendjen e plazheve në vend, duke treguar një përkeqësim të ndjeshëm të cilësisë së ujit. Vetëm 14.6% e plazheve janë vlerësuar me cilësi të shkëlqyer për vitin 2024, krahasuar me 27.8% një vit më parë, ndërsa mbi një e katërta e tyre janë në gjendje të keqe.
Raporti evidenton se ndotësit kryesorë janë bizneset që shkarkojnë ujërat e ndotura në lumenj dhe dete. Plazhet me cilësi më të mirë janë Lukova, Palasa, Drimadhja, Dhërmiu, Jala, Livadhi, Borshi, si dhe Shëngjini, Tale, Gjiri i Lalzit, Semani, Derëzeza, Divjaka, Zvërneci dhe Orikumi. Ndërkohë, në listën e plazheve me cilësi problematike, ku kërkohen masa të menjëhershme, janë Velipoja, Durrësi, Kavaja, Qerreti, Spilleja, Vlora, Himara, Qeparoi, Saranda, Ksamili dhe Lin-Pogradeci.







