FLASH :

Netanyahu sulmon kryeministrin belg për njohjen e shtetit palestinez: Udhëheqës i dobët që kërkon të ushqejë krokodilin terrorist

Tensionet mes Izraelit dhe disa vendeve perëndimore janë rritur ndjeshëm, pasi Belgjika u bë shteti i fundit që njoftoi se do të njohë zyrtarisht shtetin palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet këtë muaj.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar ashpër ndaj homologut të tij belg, Bart de Wever, duke e quajtur atë “një udhëheqës të dobët që kërkon të qetësojë terrorizmin islamik duke sakrifikuar Izraelin”.

Në një deklaratë të publikuar nga zyra e kryeministrit izraelit në rrjetin X thuhet:
“Kryeministri belg dëshiron ta ushqejë krokodilin terrorist përpara se ai të përpijë Belgjikën. Izraeli do të vazhdojë të mbrohet.”

Zemërimi i qeverisë izraelite ka ardhur pas premtimeve të njëpasnjëshme nga shtete të rëndësishme perëndimore, Franca, Britania, Kanadaja, Australia dhe tani Belgjika, për të mbështetur njohjen e shtetit palestinez në arenën ndërkombëtare, një lëvizje që Tel Avivi e konsideron si kërcënim për sigurinë e tij kombëtare.

Kjo nuk është hera e parë që Netanyahu përdor tone të ashpra ndaj liderëve perëndimorë. Muajin e kaluar, ai sulmoi edhe kryeministrin australian Anthony Albanese, duke e quajtur gjithashtu “të dobët”, pasi Canberra njoftoi njohjen e Palestinës dhe më pas refuzoi hyrjen në vend të një ligjvënësi izraelit të ekstremit të djathtë.